Jump to content

Gjergj Fishta

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Fotoporteti
P. Gjergj Fishta o.f.m. me dekoratat
Lindur më 23 tetor, 1871
Lindur në Fishtë, Perandoria Osmane
Vdiq më 30 dhjetor, 1940
Vdiq në Shkodër, Mbretëria Shqiptare (1939–43)
Kombësia Shqiptar
Profesioni frat, njeri i letrave dhe arteve, diplomat

Gjergj Fishta (Fishtë, 23 tetor 1871 - Shkodër, 30 dhjetor 1940) ka qenë frat françeskan, arsimtar, shkrimtar, përkthyes dhe po ashtu kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit, anëtar i delegacionit të qeverisë PërmetiKonferencën e Versajës dhe zëvendëskryetar i legjislativit shqiptar më 1921.

Pas dekadës së dytë të shek. XX, Fishta iu imponua kulturës shqiptare jo vetëm si shkrimtar (poet, dramaturg, prozator etj.), por edhe si kritik, historian i letërsisë dhe estet.[1] Për gjysmë shekulli ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje që kur ishte gjallë u kurorëzua "poet kombëtar". Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e Fishtës u ndalua dhe qëndroi e tillë derisa u përmbys diktatura komuniste.[2]

Biografia

Fëminia dhe studimet

U lind më 23 tetor 1871 në Fishtë të Zadrimës, Zefi i biri Ndokë Simon Ndocit nga Domgjoni i Mirditës dhe Prendes së Lazër Kaçit[3] , më i vogli i tre vëllezërve dhe një motre. Famullitari i Troshanit, famulli në të cilën përfshihej edhe Fishta, Atë Marian Pizzochini nga Palmanova, ua kërkoi prindërve që ta bënin frat dhe ata ia dhanë. Me shpenzimet e famullitarit Zefi shkoi në shkollën françeskane në Shkodër deri më 1880, kur nisi veprimtarinë Kolegji i Troshanit.[4]

Më 1886 Fishta vetë i gjashtti xhakua u nis për në Bosnie nga Urdhri Françeskan.[4] Vitin e parë të provës e kaloi në Guçjagorë afër Travnikut, ku sipas sharteve të urdhrit ndërroi emrin në Gjergj. I la mbresë rilindja letrare kroate tek lexonte poetët Martiç, Kaçiç, Njegosh dhe Mazuraniç. Në këtë kohë ai zë miqësi të ngushtë me poetin lirik kroat Kranjçeviç Silvije Strahimir (1865-1908).

Në vitin 1893 Fishta kreu me lavd këndimet në Bosnie dhe vetë i gjashtti ktheu në vendlindje, ku u bë meshtar më 25 shkurt 1894 duke çuar meshën e parë në kishën e Troshanit[4].

Meshtar dhe mësues në Troshan

Fishta si mësues në Kolegjën e Troshanit, më 1894. Marubbi

Pasi u kthye nga Bosnia punoi për disa vite mësues në Kolegjin e Troshanit. Të dielave mbulonte me shërbim meshtarak kishën famullitare të Dom Lleshit (Zojës Nunciatë) në Lezhë, në të cilën shërbeu si kapelan (1896-1897).

Në vitin 1899 caktohet famullitar i përkohshëm në famullinë e Gomsiqes, nën juridiksionin e Abatit. Më 1899 qe një ndër anëtarët themelues të shoqërisë "Bashkimi", të prirë nga Abati Doçi. Më 1902 u emërua sekretar i Komisariatit Gjeneral të Misionit Françeskan në Shkodër dhe po atë vit u bë i pari drejtor shqiptar i Shkollës Françeskane. Porsa mori në dorë drejtimin e shkollës ndërroi gjuhën e dhënies së mësimit nga italishtja në gjuhën shqipe. Me mbarështimin e tij, iu shtuan edhe klasët që atëkohë quheshin qytetnore. Duke qenë në periudhën osmane ndoshta e vetmja shkollë kombëtare në Shkodër, duke u nderuar më pas edhe nga Xhonturqit ngaqë ishte pa ndikime të huaja si shkollë.

Më 15 shkurt 1907 me Gjeçovin themeloi të parën bibliotekë shkollore në viset shqiptare. Në nëntor 1908 u tubua Kongresi i Manastirit, ku Fishta përfaqësoi shoqërinë Bashkimi dhe mbajti ligjëratën “Për alfabetin latin”, që i dha udhëzgjidhje marrëveshjes për alfabetin. Me kryengritjen e MbiShkodrës më 1911 i dërguar nga autoritetet osmane Arqipeshkvi i Shkodrës, Serreqi, mori me vete Fishtën dhe BumçinPodgoricë për të ndërmjetësuar për paqe mes autoriteteve dhe prijësve të maleve[4].

Komisioni ndërkombëtar dhe politika

Me administrimin ndërkombëtar të Shkodrës, drejtoi të përkohshmen "Hylli i Dritës", por u mbyll pas një viti prej autoriteteve të qytetit prej artikujve thumbues të vetë Fishtës[4]. Për shkak të qëndrimeve të tij, autoritetet lëshuan urdhrin që të syrgjynosej në Maltë, gjë për të cilën u strehua ndër famullitë e krahinës dhe krerët e klerit ndërhynë që t'i pezullohej urdhri i mërgimit[5].

Me pushtim-administrimin austro-hungarez pas 1916, botoi fletoren "Posta e Shqypniës"[4]. Po atë vit çoi shtypshkronjën në Shkodër, e cila do të marrë emnin Shtypshkroja Françeskane, pra françeskanët që deri atëherë botonin tek shtypshkronjën “Nikaj”, tashmë do t'i botonin vetë.

Më 6 qershor 1921 u zgjodh deputet i prefekturës së Shkodrës. Fishta në fillim zgjidhet anëtar e më vonë kryetar i komisionit të buxhetit, anëtar i komisionit të arsimit dhe në gusht të atij viti zgjidhet nënkryetar i Parlamentit. Kur iu desht ta linte, propozoi Marlaskajn si zëvendësues. Në tetor sivëllaun Dodajn, shkuan në Romë për të takuar Kryetarin e Urdhnit dhe u pritën nga Papa Benedikti XV, ku morën ndihma për hapjen e shkollës publike me emrin "Illyricum"[6].

Në fillim të 1922 niset për në Mbretërinë e Bashkuar, në shkurt 1922 nga Liverpool, pas 12 ditëve mbërrin në Amerikë. Takoi senatorë katolikë, të cilët ndikuan tek Henry Cabot Lodge, i Partisë Republikane, duke bërë kësodore të mundur hapjen e dyerve për njohjen diplomatike Shqipërisë së pavarur[7].

Pas pushtimit italian, më 3 qershor 1939 Fishta emërohet akademik i Italisë. Më 1940, Papa Piu XII e priti atë në një audiencë të gjatë në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Fishta në shtratin e vdekjes

Nga fundi i vitit 1940 shkoi në Troshan, ku kishte nisë së pari jetën rregulltare dhe atë letrare. Sëmuret me 10 dhjetor ku iu gjendën pranë miku i vet Doda dhe sekretari Volaj. Më 14 dhjetor e sjellin në Shkodër, ku e shtrojnë në spital për një sëmundje zemre dhe polmoni. Më 22 dhjetor, borën e skllotën që kishte mbuluar qytetin, Fishta e kundron nga dritarja e kuvendit. Më 22 ra një borë e madhe dhe Fishta mori një polmonit që e rëndoi shëndetin e tij. Me 27 mjekët humbasin shpresat dhe Fishta bie në kllapi[8].

Më 30 dhjetor 1940 Fishta ndërroi jetë.[nevojitet citimi]

Zhvarrosja

Në valën e Revolucionit Kulturor, më 20 mars 1967 eshtrat e Fishtës me urdhër të strukturave të shtetit komunist zhvarrosen nga Kisha Françeskane e Gjuhadolit. Sipas një dëshmie, eshtrat e tij me të sivëllezërve të tjerë u hodhën pas tri ditëve në lumin Drin.[9] Por dëshmi të tjera përcjellin se dikush i shpëtoi dhe u varrosën tinëz sërishmi në varrezat e Rrëmajit në Shkodër.

Vepra

Në fushën e letrave Fishta lëvroi gjini të ndryshme si poezinë epike ashtu edhe atë lirike, satiriken, dramën, publicistikën edhe përkthimin.[1] Si ndër më përfaqësuesit të poetëve romantikë, shkroi vepra që zhvillojnë tema të poezisë gojore dhe të traditës, duke u mbështetur shumë mbi modelet stilistikore folkloike, duke përfshirë edhe metrikën folklorike.[10]

Ka të dhëna që ka lënë piktura dhe po ashtu qe arkitekti i njërës prej kishave të Shkodrës.[11] Ka botuar 9 tekste dramatike.[12]

Censura

Si me Skiroin, Konicën me autorë të tjerë të rinj,[13] me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, Fishta u shpall "armik i popullit" dhe si autor u ndalua sepse kryevepra e tij Lahuta e Malcís është anti-sllave. Ndër akuzat e tjera që i bëheshin postum qenë edhe pranimi i medaljes së dhënë nga sulltani, të qenët agjent i austro-hungarezëve kur botonte Posta e Shqypnís si dhe për mosrefuziminin e titullit akademik i Akademisë së Shkencave të Italisë fashiste pasi kjo pushtoi Shqipërinë. Për Arshi Pipën, arsyeja e vërtetë me të cilën mund të shpjegohej fishtofobia e partisë, është sepse ishte gegë dhe prift katolik.[14]

Dekoratat, foto Marubbi

Nderime

Pupla e artë dhe kunora e argjendtë, foto Marubbi

I dekoruar për shërbime paqe me dekoratën Mearif të klasit të II. Më 28 janar 1912, Klubi "Gjuha Shqype" në pallatin ipeshkvnor në praninë e Imzot Serreqit, përmes kryetarit të saj Ndoc Çobës, i cili më këtë rast mbajti edhe një ligjëratë mbi veprimtarinë e tij, i dhuroi Fishtës një kurorë argjendi për merita në krijimtarinë letrare dhe po këtë vit ai dekorohet dhe nga Mbretëria Austro-Hungareze me medaljen Ritterkreuz (1912), për kontributin kulturor në Shqipëri, qyteti i Beratit i dërgoi një pupël ari (pendë) (1913), Piu XI Medaglia di Benemerenza (1925), Urdhëri françeskan e dekoroi Lector Jubilatus (1929), Greqia me dekoratën Phoenix (1931); qeveria italiane e bëri anëtar të saj, Academico d’Italia më 1939.

Me rastin e 130 vjetorit të ditëlindjes së tij. Këshilli i Bashkisë se Lezhës e bëri "Qytetar Nderi". Në këtë mbledhje përkujtimore, një grup intelektualësh kërkuan nga Kryetari i Qarkut dhe Prefekti qe t'i bëhet një propozim Presidencës që t'i akordojë poetit të madh titullin e lartë "Nderi i Kombit" për merita të shquara në shërbim të Kombit Shqiptar. Kjo dëshirë u realizua nga presidenti Alfred Moisiu me 28 nëntor 2002.

Korrespondenca e Fishtës me Musolinin dhe Jakomonin

Njihen dy letra që Át Gjergj Fishta i ka drejtuar Benito Musolinit. Letra e parë i takon vitit 1934 dhe është e postuar në Livorno, Itali. Është e shkruar italisht, herë-herë me fjalë jo të italishtes së sotme. Duke ndjerë se nuk i mbetej shumë për të jetuar, Fishta i kërkon Mussolinit që vepra e tij të botohet e plotë dhe “e paraqitshme”, gjë që nuk mund ta bëjë Urdhri Françeskan, dhe as Provinca e Fishtës. Dhe të ardhurat nga shitja e veprës t’i kalojnë kësaj province.

Deri në atë kohë dijetari shqiptar thuajse e kishte mbyllur ciklin e gjithë veprimtarisë së tij, pavarësisht rishikimeve të mëvonshme. Lutja konsiston në botimin e të shtatë vëllimeve të veprës ku përfshihen poezia ajo epike me “Lahutën e Malcisë”, lirika, drama, satira politike dhe sociale, proza, përkthimet nga Iliada e Homerit, Molieri etj.

Letra e dytë e Fishtës drejtuar Musolinit është shkruar në Romë, me datë 27 prill 1940, dhe po ashtu si letra e parë mban edhe vitin përkatës fashist, viti XVIII, i drejtohet tashmë Udhëheqësit – Duçe. Në këtë letër të shkurtër i shkruan për prof. Gino Bottiglioni, i Universitetit të Bolonjës që në atë kohë ishte thirrur nga Akademia Italiane – anëtar i kësaj Akademie Gjergj Fishta u bë në 1939 – i ngarkuar me misionin për të promovuar studime në të gjitha fushat e dijes dhe për të drejtuar të rinjtë studentë. “Qendra jonë e Studimeve Shqiptare do donte një impuls të dukshëm nga profesori i Universitetit të Bolonjës ku me iniciativën e tij, po organizohet një grup të rinjsh veçanërisht i përkushtuar ndaj albanologjisë”. Për këtë Fishta “guxon” t’i drejtohet Duçes dhe “gjykimit të tij të ndritur” për t’u gjetur një mënyrë që ta shtyjë më tej këtë nismë.

Letra drejtuar Jakomonit, mëkëmbësit të mbretit Viktor Emanueli III është një lutje për të ndihmuar albanologun Norbert Jokl.

Tituj të veprave

1*Lahuta e Malcíse [15] - poemë (Zarë, 1925
2*Anzat e Parnasit - satirë (Sarajevë, 1907) [15]
3*Pika voese, më vonë ribotuar si Vallja e Parrizit (Zarë, 1909)
4*Shqyptari i gjytetnuem - melodramë (1911) [15]
5*Shqyptarja e gjytetnueme - melodramë
6*Vëllaznia apo Shën Françesku i Assisi-t (1912) [15]
7*Hylli i Dritës - revistë (1913), themelues.
8*Juda Makabé - tragjedi (1914)
9*Gomari i Babatasit (Shkodër, 1923)
10*Mrizi i Zânavet (Shkodër, 1924) [15]
11*Sh. Luigji Gonzaga, (Shkodër 1927)
12*Lahuta e Malcís - botimi komplet (1937)
13*Jerina ase mbretnesha e luleve, (Shkodër, 1941)

Shiko dhe këtë

Referencat

  1. ^ a b Plasari, Aurel (1999). "Fishta meditans". Fishta: Estetikë dhe Kritikë. Tiranë: Hylli i Dritës & Shtëpia e Librit. fq. 11. ISBN 9992764600. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Hamiti, Sabri (2013). Letërsia moderne shqipe. Tiranë: UET press. fq. 13. ISBN 9789995639457. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ Kurti, Donat (2003). Provinça Françeskane Shqiptare. Shkodër: Botime Françeskane. fq. 123. ISBN 99927-789-1-1. Georgius (P) Josephus Fishta, f. Antonii et Venerandae Kaçi, n. Fishtae, d. Sappatensis 23 Oct. 1871 [...]. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ a b c d e f Bardhi, Pashko (2010). "A. Gjergj Fishta - me rasen e 25 Vjetorit të Meshtarís së Tij". përmbledhur nga Dema, Benedikt (red.). Át Gjergj Fishta, O.F.M. 1871-1940. Shkodër: Botime Françeskane. fq. 21–28. ISBN 978-99956-97-03-7. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ Dodaj P., A. Gjergj Fishta O.F.M. në korrispondencë me nji sivllá të perzemert, botuar tek Át Gjergj Fishta, O.F.M. 1871-1940, përgatitur B. Demës, Shkodër: Botime Françeskane, 2010, fq. 76-108. ISBN 978-99956-97-03-7
  6. ^ Sirdani M., Jeta e vepra fetare e At Fishtës, botuar tek Át Gjergj Fishta, O.F.M. 1871-1940, përgatitur B. Demës, Shkodër: Botime Françeskane, 2010, fq. 29-45. ISBN 978-99956-97-03-7
  7. ^ Dodaj P., A. Gjergj Fishta deputat në parlament e udhtimi i tij per Amerikë, botuar tek Át Gjergj Fishta, O.F.M. 1871-1940, përgatitur B. Demës, Shkodër: Botime Françeskane, 2010, fq. 119-127. ISBN 978-99956-97-03-7
  8. ^ Maska e vdekjes e at Gjergj Fishtes, Mentor Quku Admirina Peçi 26/12/2010
  9. ^ Jubica, Irhan (5 gusht 2007). "Një varr për të vërtetën e eshtrave të Fishtës". Gazeta shqiptare, suplementi "Milosao". 3949: 2–5. {{cite journal}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  10. ^ Pipa, Arshi (2013) [1978]. Trilogia Albanica III: Albanian Literature: Social Perspectives [Trilogjia Albanika III: Letërsia shqipe: Perspektiva shoqërore]. Tiranë: Princi. fq. 85. ISBN 9789928409096. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  11. ^ Kabashi L., A. Gj. Fishta ndër arte, botuar tek Át Gjergj Fishta, O.F.M. 1871-1940, përgatitur B. Demës, Shkodër: Botime Françeskane, 2010, fq. 61-69. ISBN 978-99956-97-03-7
  12. ^ Hamiti 2009, p. 24
  13. ^ Pipa 2013, p. 152.
  14. ^ Pipa, Arshi (2010). Politika e Gjuhës në Shqipërinë Socialiste. 2010: Princi. fq. 65–67. ISBN 9789995673246. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Vendodhja (lidhja)
  15. ^ a b c d e Gjovalin shkurtaj dhe Enver Hysa: Gjuha Shqipe për të huajt dhe shqiptarët jashtë atdheut

Bibliografia

Lidhje të jashtme

Wikisource ka një koleksion punimesh të Autorit :

Multi media