Vangjel Heba
Vangjel Heba lindi në vitin 1933 në Durrës, Shqipëri, është Artist i merituar shqiptar.
Biografia
Vangjel Heba lindi në vitin 1933 në qytetin e Durrësit në një familje të njohur qytetare. Shkollën 7-vjeçare dhe atë të mesme i kreu në qytetin bregdetar. Që në këtë moshë spikatën aftësitë e tij në fushën skenike. Në fillim të viteve '50 Heba nis punën aktor në Teatrin e Ushtrisë në Tiranë, ndërsa më 11 janar të vitit 1953 ai do të bëhej një nga aktorët themelues të teatrit "Aleksandër Moisiu" të qytetit të Durrësit. Në skenën e këtij teatri, Vangjel Heba u shqua si aktor i roleve të fuqishme dramatike, duke interpretuar role të heronjve kryesorë. Ai mbahet mend dhe për rolet e interpretuara në një tjetër gjini shumë të pëlqyer të teatrit. Kështu, nuk kanë munguar edhe rolet e sukseshme në komedi të ndryshme. I njihen më shumë se 120 role në teatër, mes të cilave kanë spikatur, Petriti te "Familja e peshkatarit", Anjuckin te "Martesa" e Gogolit, Adem Reka te "Flamur në stuhi", Breti te "Rrënjë të thella" etj. Kontributi i Vangjel Hebës është mjaft i njohur edhe në kinematografi. Ai ka krijuar 26 figura të ndryshme në filmat "Nëntori i dytë", "Toka jonë", "Malet me blerim mbulur", "Furtuna", "Njësiti gueril" etj. Gjatë karrierës së tij të gjatë artistike, Heba ka provuar me sukses dhe regjinë teatrale. Ai vuri në skenë disa pjesë duke shfaqur edhe talentin e tij si regjisor. Dramat dhe komeditë " Njerëz mbi shkëmb" dhe "Revizori" mbajnë firmën e regjisorit Vangjel Heba.
Ky artikull në lidhje me një aktor është i cunguar. Ju mund të ndihmoni Wikipedinë duke e përmirësuar atë.