Fadil Sylejmani
Fadil Sylejmani (Bozovce, 5 dhjetor 1940 - Prishtinë, 11 shkurt 2013) ka qenë albanolog dhe profesor universitar si dhe rektori i parë i Universitetit të Tetovës .[1]
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Fadil Sylejmani ka lindur më 5 dhjetor të vitit 1940 në fshatin Bozovcë të Komunës së Tetovës . Arsimin fillor e kreu në vendlindje dhe në qytetin e Tetovës, kurse shkollën e mesme e kreu gjithashtu në Tetovë. Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren, ndërsa Fakultetin Filozofik, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e kreu në Prishtinë. Studimet pasuniversitare të magjistraturës i kreu në Beograd, kurse ato të doktoraturës i mbaroi në Universitetin e Prishtinës.
Ka punuar fillimisht arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe, në Obiliq të Prishtinës dhe 2 vjet ka qenë profesor i gjuhës latine në Gjimnazin e Mitrovicës. Në vitin 1971 e filloi punën mësimdhënës i rregullt i lëndëve Morfologji dhe Fonetikë e gjuhës shqipe në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku punoi deri në vitin 1993, kur pushteti serb e pushtoi dhunshëm këtë universitet dhe disa institucione të tjera arsimore e shkencore të Kosovës. Në vitin 1995, Fadil Sylejmani u zgjodh profesor i rregullt i shkencave të filologjisë në këtë universitet. Gjatë kohës sa ishte mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës, formimin e tij akademik e vijoi me 2 vjet specializim, si bursist i Fondacionit "Aleksandër Humbold”, në Bon të Gjermanisë, si dhe 1 vit në Itali, që i mundësuan edhe njohjen e gjuhës gjermane dhe italiane, të cilat i shërbyen më vonë në hulumtimet e tij shkencore.
Në vitin 1990, me fillimin e proceseve demokratike, u kthye nga Prishtina në Tetovë, qytetin e tij të lindjes, ku u angazhua së bashku me intelektualë të tjerë dhe ish të burgosur e të përndjekur politik në aksionin e madh popullor për Pajtimin e gjaqeve.
Në muajin gusht vitin 1990, me themelimin e Bashkësisë Kulturore Shqiptare, me seli në Tetovë, Këshilli nismëtar, i inicuar dhe kryesuar nga prof. Abdulla Mehmeti, profesorit Fadil Sylejmani ia besoi detyrën e kryetarit të kësaj organizate, duke pasur parasysh kontributin e tij të mëhershëm për arsimin, shkencën dhe kulturën shqiptare, të cilën detyrë e ushtroi deri në muajin gusht të vitit 1991. Po në këtë vit, bashkë me punonjës të tjerë shkencorë, intelektualë dhe përfaqësues të asociacioneve shqiptare në Maqedoni, u angazhua për organizimin e Simpoziumit shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, i cili në aspektin e gjithanshëm shkencor e ndriçoi historinë e shqiptarëve dhe të këtyre trevave etnike nga lashtësia e hershme deri në ditët e sotme.
Fadil Sylejmani u bë i njohur për publikun gjerë në vitin 1994 kur u përfshi në nismën për themelimin e Universitetit të Tetovës, si institucioni i parë i arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Maqedoni Më 1994, bashkë me intelektualë të tjerë ka qenë njëri ndër nismëtarët e themelimi të Universitetit të Tetovës. Në Kuvendin themelues të këtij Universiteti, më 4 qershor, u emërua anëtar i Kryesisë së Universitetit të Tetovës, ndërsa më 8 janar 1995 u zgjodh Rektor i Universitetit të Tetovës, detyrë që e ushtroi në dy mandateve, deri në vitin 2002.
Në ngjarjet më të rëndësishme të fillimit të punës së këtij Universiteti, prof. dr. Fadil Sylejmani ishte në ballë të këtyre aktiviteteve si, në drejtimin e punës së organeve të përkohshme të Universitetit, në sjelljen e Vendimit për hapjen publike dhe fillimin e punës së Universitetit, më 17 dhjetor 1994; në hapjen publike të vitit akademik 1994/1995, më 15 shkurt 1995, në Reçicë të Vogël; në fillimin e ligjëratave të para, në Poroj dhe Reçicë të Vogël, më 16 dhe 17 shkurt 1995; si dhe në aktivitete të tjera të cilat ia vunë vulën arsimit universitar në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë. Për këto aktivitete, pushteti i asaj kohe në Maqedoni e ndoqi, e maltretoi shumë herë bashkë me familjen e tij dhe e dënoi me 2 vjet heqje lirie, ndërsa dënimin me burg e vuajti në kohëzgjatje prej afër një viti..[2] [3].
Prof. dr. Fadil Sylejmani ka ndërruar jetë në orën 1:20, të ditës së hënë, më 11 shkurt 2013, në Prishtinë, ndërsa është përcjellë në botën e amshuar në atë ditë, më 11 shkurt, në varrezat e qytetit të Tetovës, me nderime të larta si Rektor i parë i Universitetit Shtetëror të Tetovës. [4].[5]
Nderimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Profesor Fadil Sylejmani është nderuar me disa çmime nga Universiteti Shtetëror i Tetovës. Krahas titullit “Rektor Nderi i Universitetit të Tetovës”, akorduar nga Senati i këtij Universiteti, më 25 nëntor 2002, u pasua edhe me çmimin “Nderi i Universitetit të Tetovës”, më 17 dhjetor 2002. Në 18 vjetorin e fillimit të punës së Universitetit, më 17 dhjetor 2012, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Rektorit të Parë, Prof. dr. Fadil Sylejmanit i ndau titullin: Doktor nderi i shkencave (Doctor honoris causa) i Universitetit Shtetëror të Tetovës.
Publikime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Profesor Fadil Sylejmani është autor i mbi 10 veprave shkencore dhe më tepër se 200 artikujve të publikuar në periodikë të ndryshëm dhe revista shkencore. Ndër veprat e tij më të rëndësishme janë: ,,E mbsuame e krështerë e Lekë Matrëngës”, një monografi për jetën dhe veprën e këtij autori arbëresh, Prishtinë 1979; ,,Praktikumi i Gjuhës së Sotme Shqipe”, Prishtinë 1981, 1984; ,,Lindja, martesa dhe vdekja në Malësitë e Tetovës”, monografi për ritet familjare në këtë trevë; ,,Njohuri për Gjermaninë dhe popullin e saj”, 1995; ,,Fonetika e gjuhës gjermane”, 1995; ,,Morfologjia e gjuhës gjermane”, 1995; ,,Hapi historik i universitetit tonë”, 1994. etj.
Ka lënë gati për shtyp disa libra, si: ,,E folmja e Malësisë së Sharrit të Tetovës”, e cila ka qenë edhe temë e disertacionit të doktoratës së tij; ,,Toponimia e tri malësive të Tetovës”, e cila u botua pas vdekjes së tij, më 2016; ,,Lojërat popullore në Malësitë e Tetovës”; ,,Sintaksa e gjuhës gjermane”, etj.
Ka dhënë kontribut të rëndësishëm në fushën e fonetikës dhe të drejtshkrimit, të gramatikës dhe të leksikologjisë, të dialektologjisë dhe të etnologjisë. Janë me qindra artikuj të publikuar ku i trajtoi këto çështje.
Në fushën e dialektologjisë dhe të leksikologjisë mund të përmendim artikujt si: ,,Dukuritë fonetike në të folmen e Malësisë së Sharrit”, ,,Terminologjia bimore dhe shtazore në të folmen e Malësisë së Sharrit të Tetovës”, ,,Leksiku blegtoral nga e folmja e Malësisë së Sharrit të Tetovës”, „Diftongjet dhe togjet zanore në Malësinë e Sharrit të Tetovës“, „Vokalizmi në të folmen e Malësisë së Sharrit të Tetovës“, „Fjalë të bukura nga Malësia e Sharrit të Tetovës“, „Fjalë popullore nga Malësia e Sharrit të Tetovës“, etj.
Në fushën e etnografisë ka botuar shkrime me interes të madh, si: „Disa të dhëna rreth lindjes në Malësinë e Sharrit të Tetovës“, „Besëtytnitë për vdekjen në Malësinë e Tetovës“, „Veçoritë fizike-gjeografike e sociale të Malësisë së Sharrit të Tetovës“, „Lojërat popullore të dasmave në anën e Tetovës“ etj.
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ https://strugalajm.com/shtate-vjet-pa-rektorin-e-pare-te-universitetit-te-tetoves-prof-dr-fadil-sulejmani/
- ^ Glasnik na Институтot za nacionalna istorija (bot. 41), Скопје: Институт za nacionalna istorija, 1997
{{citation}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ Пратенички состав 2006 - 2008, Собрание на Македонија, marrë më 2011-02-07
{{citation}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ Галевска, Елизабета (25 октомври 2006 00:00), Фадил Сулејмани се повлекува од ДУИ, А1, marrë më 2011-02-07
{{citation}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!); Shiko vlerat e datave në:|date=
(Ndihmë!) - ^ Јовановска, Билјана (31 октомври 2006), Синот на Фадил Сулејмани за четири месеци положил 23 испити и дипломирал, Утрински Весник, marrë më 2011-02-07
{{citation}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!); Shiko vlerat e datave në:|date=
(Ndihmë!)