Jump to content

Mirjan Hakani

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Mirjan Hakani (18 prill 1961 - 5 dhjetor 2015), është një ikonë e peshëngritjes dhe e sportit shqiptar, si dhe ish-drejtues dhe administrator i sportit në Shqipëri. Ai është djali i regjisorit te njohur shqiptar, Hysen Hakani.

Mirjan Hakani u lind në Tiranë, më 18 prill 1961. Ka qenë kampion dhe rekordmen kombëtar në sportin e peshëngritjes për 17 vjet me radhë, kohë gjatë së cilës ka thyer plot 164 rekorde kombëtare. Për 10 vjet me radhë ka fituar në anketën e 10 sportistëve më të mirë të Klubit Sportiv “Tirana”. Ka fituar në anketën e 10 sportistëve më të mirë në Shqipëri gjatë viteve 1982, 1983 dhe 1984.

Ka fituar 8 medalje të arta në aktivitete ndërkombëtare, si dhe është fitues i dy medaljeve të arta në dy Spartakiada Kombëtare. Ka punuar për 2 vjet si pedagog në Institutin e Lartë te Arteve si dhe ka punuar si mësues i edukimit fizik në shkollën “Mihal Grameno”, ku dhe ka realizuar palestrën e parë profesionale të forcës.

Në vitin 1991 emërohet si mësues i edukimit fizik në shkollën “Ismail Qemali”, ku arriti të realizojë kompleksin e parë modern sportiv në historinë e Shqipërisë, të pajisur me sallë force, saunë, sallë aerobie, sallë ping-pongu, sallë lojrash me dorë, kabinet fizioterapie, dhe (në mjedis të hapur) fushë volejbolli, basketbolli, handbolli, minifutbolli, tenisi, si dhe ndriçimin me drita të fushave.

Në vitin 1993 u emërua Drejtor i Madh i Sportit, në Bashkinë e Tiranës, ku menjëherë ka realizuar palestrën e parë profesionale të peshëngritjes.

Ka realizuar rikonstruksionin e plotë të sallës së lojërave me dorë "Farie Hoti", rikonstruksionin e Stadiumit "Selman Stërmasi", ka realizuar këndin e hedhjeve në stadiumin “Qemal Stafa”.

Ka organizuar të gjitha spektaklet artistiko-sportive, që nga spektakli i parë “Gazetarë-Artistë”; “Politikanë-Artistë”; “Pozitë-Opozitë”, “Për ty Kosovë”, “Faleminderit NATO”, etj. Është ideator dhe organizator i 15 spektakleve sportivë si “Nata e Yjeve”, "Sportistë, Yje, Njerëz”, “Lamtumirë Miqtë e Mi”, “Yjet e Basketbollit”, “Yjet e Futbollit”, “Kosovë, Vëllezërit Bashkë”, etj. Këto spektakle janë bërë për të kujtuar e respektuar figurat e larta të sportit të kombit tonë.

Në vitin 1998 është emëruar drejtori i parë i Agjencisë së Shërbimit të Sportit, ku dhe ka realizuar 2 palestra peshëngritjeje, 1 palestër boksi, 1 palestër mundjeje, sallën e shahut, sallën e forcës për atletikën, të gjitha në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, salla të cilat janë përdorur të gjitha nga ekipet kombëtare përkatëse të Shqipërisë.

Në vitin 2008 është emëruar shef i Klubit Shumësportesh Partizani, ku dhe ka vazhduar detyrën dhe kontributin e tij në sport, deri në fund të jetës së tij.

Mund të thuhet se në fillimin e viteve 2000, sporti shqiptar ka kaluar “Periudhën Hakani”, me një hov të paparë më herët kontributi në salla sportive, mjedise sporti, spektakle artistiko-sportive, etj.

Ai u nda nga jeta më 5 dhjetor 2015, në moshën 54-vjecare, pas një beteje të gjatë me sëmundje zemre.

I dekoruar me titujt
  • "Mjeshtër Sporti" në vitin 1983.
  • "Mjeshtër i Merituar i Sportit", në vitin 1990.
  • "Mësues i Merituar", në vitin 1995.
  • "Nderi i Sportit Shqiptar", në vitin 1999.
  • "Mjeshtër i Madh", në vitin 2006.